Misteret e vdekjes se Sokol Olldashit

shuhet sokol olldashi

Nga Alfred Çako  (Gazeta Shqiptare)

“Pa pretenduar se jam profesionist hetimesh, si çdo qytetar kam të drejtë të ngre disa hipoteza, të cilat mund t’i ketë ngritur edhe grupi hetimor, nëse ai është i pandikuar në punën e tij: a ka bërë vërtet aksident i gjallë z.Olldashi? A ka pasur një/disa persona në makinën e z.Olldashi para aksidentit?

A ka pasur ndonjë/disa persona gjatë aksidentit? Nëse po, kush janë këta dhe a ka ndonjë viktimë ose të plagosur tjetër që mund të shpjegojë ngjarjen? Ku ka qenë z.Olldashi në atë kohë të keqe dhe me kë është parë për herë të fundit në lirinë e tij? Me cilët persona ka folur gjatë ditës dhe sidomos disa orë para aksidentit? Cili është roli i personave me të cilët ka folur herët e fundit në telefon? Nëse ka folur me shoferin e tij para aksidentit, a mund ta ketë bërë atë telefonatë dhe bisedë nën presionin e dikujt tjetër? A janë parë kamerat e tunelit nëse, dhe se kur, ka hyrë dhe kur ka dalë nga tuneli në drejtimin Elbasan-Tiranë dhe kur ka filluar biseda me shoferin e tij (a ka përputhje në kohë nga dalja prej tunelit deri te vendi i aksidentit me kohën e bisedës apo atij i është bërë pritë në moment dhe biseda është bërë me detyrim kohë më pas se koha e llogaritur nga dalja e tunelit te vendi i aksidentit)?

Cili ka qenë itinerari i rrugës para se të kthehej nga Elbasani në Tiranë? Nëse ka qenë Tiranë-Elbasan, kur ka hyrë në tunel dhe a dallohen persona të tjerë brenda tij? Ku kishte qenë z.Olldashi si stacion i fundit para se të nisej për në Tiranë? Në Elbasan apo diku gjetkë dhe me kë është takuar? A është vrarë ai nga aksidenti apo ka qenë i vdekur para se të hidhej në greminë? A mund të jetë rrëmbyer ai më parë që në Tiranë me makinën e tij dhe është çuar te vendi i krimit i vrarë?

Të gjitha këto pyetje hipotetike, si edhe shumë të tjera, duhet t’i shpjegojë për interesin publik organi hetimor, i cili paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe në përfundimet e tij duhet të jetë sa më i besueshëm.

Këto shpjegime të hollësishme do të hiqnin edhe perden e tymit dhe do të pastronin të gjitha palët, në rast se vdekja e tij ka ardhur prej aksidentit. Gjithë qëllimi i këtij shkrimi ka qenë pikërisht interesi publik, një pjesë e të cilit ka shprehur shqetësim për pasiguri në jetët e shqiptarëve duke bërë edhe akuza të hapura, natyrisht të pabaza 100%, mbi njerëz të caktuar. Ky hetim i hollësishëm do të sillte të vërtetën, cilado qoftë ajo, të cilën kërkon ta transmetojë me heshtjen e përjetësisë edhe shpirti i ri i Sokolit, i cili ende endet sot rreth nesh”- përfundon shkrimi i Çakos.